NLB Prishtina në bashkëpunim me IFC-në ka lansuar produktet e reja kreditore për efiçencë të energjisë

Prishtinë, Kosovë, 30 mars 2016 – IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore e ka ndihmuar bankën NLB Prishtina që të rritë huadhënien për projektet e efiçencës së energjisë (EE) për kompanitë private dhe ekonomitë familjare në Kosovë, për të ndihmuar në uljen e kostove dhe zvogëlimin e ndryshimeve klimatike.


IFC-ja e filloi projektin këshillues me NLB Prishtina në qershor të vitit 2015 për ta ndihmuar bankën që të identifikojë, vlerësojë dhe financojë më mirë projektet e efiçencës së energjisë. Si rezultat i kësaj dhe një programi të dedikuar të trajnimit, NLB Prishtina ka zhvilluar dy produkte të reja të huadhënies – kreditë EE për ekonomitë familjare dhe kreditë EE për kompanitë e vogla dhe të mesme. Banka me sukses ka testuar produktin e huadhënies EE për ekonomitë familjare nga dhjetori deri në shkurt dhe tani është duke filluar zyrtarisht me të dy produktet.

“Duke përdorur përvojën dhe ekspertizën e IFC-së në sektorin e financimit të qëndrueshëm, ne shpresojmë të zhvillojmë potencialin e investimeve në modernizimin e Eficiences te energjise, që do të shfrytëzohet nga ndërmarrjet e vogla dhe shtëpitë private”, tha Albert Lumezi, Kryetar i Bordit Udhëheqës të NLB Prishtina. “Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë aktivitetin e kreditimit për EE me qëllim të mbështetjes së  klientëve  në zbutjen e  ndryshimeve klimatike dhe kontributin për një mjedis më të pastër dhe më të qëndrueshëm.”

Projekti këshillues është pjesë e Programit të Financimit të Qëndrueshëm të Energjisë të IFC-së në Evropë dhe Azi Qendrore, që implementohet në partneritet me Ministrinë Federale të Financave të Austrisë. NLB Prishtina është banka e dytë nga Kosova që i bashkohet këtij programi.

“Energjia mbetet një nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet sot Kosova. Investimet në efiçencën e energjisë nuk janë të mira vetëm për mjedisin, ato janë të mira për biznesin, sepse ndihmojnë për ta reduktuar konsumin e energjisë dhe për t’i zvogëluar shpenzimet,” tha Thomas Lubeck, Drejtor rajonal i IFC-së për Ballkanin Perëndimor. “Puna jonë me NLB Prishtina gjithashtu mbështet Planin e parë Kombëtar të Veprimit të qeverisë për Efiçencën e energjisë, i cili synon të arrijë 9 për qind të kursimeve të energjisë deri në vitin 2018.”

Kosova u bë anëtare dhe aksionare e IFC-së në vitin 2009. Që atëherë, IFC-ja ka investuar dhe mobilizuar 391 milionë dollarë në pesë projekte në sektorë të ndryshëm. Përveç kësaj, IFC-ja ka mbështetur rrjedhjet tregtare prej 4.8 milionë dollarë përmes programit të saj të financimit të tregtisë. Shërbimet këshilluese të IFC-së në Kosovë synojnë të përmirësojnë klimën e investimeve dhe performancën e kompanive të sektorit privat, dhe të tërheqin pjesëmarrjen e sektorit privat në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës.

Për IFC-në

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh për zhvillim global që fokusohet në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Duke punuar me mbi 2000 biznese në mbarë botën, ne shfrytëzojmë kapitalin, ekspertizën, dhe ndikimin tonë, për të krijuar mundësinë aty ku më së shumti nevojitet. Në vitin fiskal 2015, investimet tona afatgjate në vendet në zhvillim u ngritën në afro 18 miliardë dollarë, duke ndihmuar sektorin privat që të luajë rolin kryesor në përpjekjen globale për të çrrënjosur varfërinë e skajshme dhe për të rritur përparimin e përbashkët. Për më shumë informata, vizitoni www.ifc.org.

 

March 30, 2016