Pajtueshmëria dhe Integriteti
Ne, në NLB Banka sh.a. Prishtinë (më tutje: NLB), besojmë që qeverisja e përgjegjshme korporative është shumë më tepër se sa vetëm respektimi i ligjeve, rregulloreve dhe standardeve. Kjo mbështetet në një program të besueshëm të pajtueshmërisë së përgjithshme. Ndaj NLB është e përkushtuar që të sigurojë standarde të larta të pajtueshmërisë dhe integritetit, në çdo vend ku operon.
Në NLB, pajtueshmëria është e përfshirë në operacionet e përditshme biznesore të Bankës, duke kontribuar kështu në forcimin e mjedisit të kontrollit të brendshëm, i cili siguron menaxhimin e rreziqeve të pajtueshmërisë.
NLB ka miratuar rregulla dhe udhëzime të qarta për punonjësit e saj, në fusha të ndryshme të veprimtarisë. Duke siguruar pajtueshmërinë ligjore dhe me kërkesat tjera rregullatore ne sigurojmë që NLB, aksionarët e saj, klientët, partnerët biznesorë, palët tjera të interesit si dhe punonjësit tanë të jenë të mbrojtur në mënyrë të duhur ndaj rreziqeve të ndryshme që lidhen me fushën e pajtueshmërisë.
Prandaj, ne presim që të gjithë punonjësit e Bankës të respektojnë standardet tona të vendosura të pajtueshmërisë- duke vepruar në mënyrë transparente, të përgjegjshme dhe etike. Kodi i Etikës i NLB Grupit, është një dokument i standardizuar për të gjithë anëtarët e NLB Grupit, i cili përshkruan vlerat dhe përcakton standardet e sjelljes etike biznesore dhe shërben si udhërrëfyes i të gjitha marrëdhënieve tona, pavarësisht a flasim për raportet tona me klientët, konkurrencën, partnerët biznesorë, autoritetet shtetërore, rregullatorët, aksionarët apo marrëdhëniet e brendshme mes punonjësve tanë. Kodi i Etikës është, po ashtu, baza e vlerave dhe parimeve tona themelore të sjelljes, i cili ofron udhëzime të përcaktuara të sjelljes së dëshiruar për punonjësit tanë. Synimi i një qasjeje të tillë është të sigurohet pajtueshmëria me të gjitha ligjet, rregulloret dhe standardet e aplikueshme.
Njësia e Bankës, përgjegjëse për pajtueshmërinë dhe integritetin, është e përkushtuar në rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të Bankës, edhe në të ardhmen. Ndaj ne punojmë vazhdimisht në forcimin e funksionit të pajtueshmërisë dhe sigurohemi që ai është i bazuar në standardet e njohura ndërkombëtare të menaxhimit të pajtueshmërisë.
Për të promovuar sjelljen e përgjegjshme tek punonjësit, ne shfrytëzojmë kanale të ndryshme komunikimi për të diskutuar tema që lidhen me pajtueshmërinë dhe integritetin, inkuarojmë komunikimin e hapur si dhe çdo vit organizojmë trajnime në fushën e pajtueshmërisë, ku pjesëmarrja për të gjithë punonjësit është obligative!
Programi i njësisë për Pajtueshmëri dhe Integritet
Në NLB, Njësia për Pajtueshmëri dhe Integritet, funksionon e pavarur nga operacionet e Bankës. Politika e Pajtueshmërisë dhe Integritetit të NLB Banka sh.a. Prishtinë dhe Grupit NLB, është baza e programit për pajtueshmëri dhe integritet.
Në NLB punohet vazhdimisht në vetëdijesimin e punonjësve tanë në rrjetin afarist si dhe njësitë tjera organizative brenda Bankës, lidhur me përmbushjen e kërkesave ligjore dhe rregullative si dhe praktikat e mira të punës. Prandaj Njësia për Pajtueshmëri dhe Integritet, është përgjegjëse për:
- Ofrimin e këshillave për njësitë e ndryshme brenda Bankës lidhur me ligjet e zbatueshme, direktivat, standardet dhe udhëzimet e ndryshme rregullatore si dhe dhënien e mbështetjes për sigurimin e pajtueshmërisë, e kjo gjë përfshin edhe ndihmën në përmirësimin e mekanizmave të të kontrollit të brendshëm për parandalimin e konfliktit të interesit, parandalimin e korrupsionit dhe ryshfetit, parandalimin e keqpërdorimeve në tregun e instrumenteve financiare.
- Mbikëqyrjen e operacioneve dhe proceseve të ndryshme biznesore për vlerësimin e rreziqeve të mundshme të pajtueshmërisë.
- Zhvillimin e parimeve, standardeve dhe udhëzimeve të pajtueshmërisë të vlefshme për Bankën (lidhur me kodin e etikës, parandalimin e mashtrimit, rregulloret, rregullat dhe standardet e brendshme).
- Identifikimin, vlerësimin si dhe monitorimin e menaxhimit të rreziqeve të pajtueshmërisë dhe integritetit, etj.
Bankat dhe institucionet tjera financiare operojnë në një mjedis të rregulluar në mënyrë strikte, ndaj NLB, në mënyrë të vazhdueshme ndërton, forcon dhe mbështet kulturën e pajtueshmërisë dhe kujdesit të duhur. Për ne, është shumë e rëndësishme që punonjësit dhe vendimmarrësit i dinë dhe i kuptojnë qëllimet dhe objektivat e rregulloreve. Për këtë arsye, monitorimi sistematik i ndryshimeve në mjedisin ligjor dhe rregullator si dhe vlerësimi i ndikimit të tyre në Bankë janë pjesë e rëndësishme e operacioneve të përditshme të saj (Bankës).
NLB Grupi është thellësisht i vendosur për pajtueshmërinë dhe integritetin, ndaj ka zero tolerancë për çdo formë korrupsioni, praktike të ryshfetit, mashtrimit, krimit financiar apo forma të tjera të sjelljes së dëmshme.
Si e luftojmë korrupsionin, ryshfetin apo format tjera të mashtrimit?
Në kuadër të kornizës së programit tonë të pajtueshmërisë, NLB ka ndërmarrë masa për pajtueshmëri të plotë me të gjitha ligjet vendore dhe ndërkombëtare që rregullojnë luftën kundër korrupsionit dhe ryshfetit. Për të gjithë punonjësit tanë dhe menaxherët, është rreptësisht e ndaluar pranimi, ofrimi, pagesa apo miratimi i ryshfetit apo çfarëdo forme tjetër të korrupsionit.
NLB Grupi është i vetëdijshëm mbi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit si dhe krimeve të tjera financiare. Kështu, NLB Banka sh.a. Prishtinë dhe anëtarët e tjerë të NLB Grupit, në mënyrë aktive, zbatojnë politikat dhe procedurat, e ndjekjes së zero tolerancës ndaj çdo lloj forme të korrupsionit, qoftë në sektorin publik apo atë privat. Në këtë drejtim, ne kemi themeluar rregulla, procedura, udhëzime dhe rregulla të sjelljes, të cilat janë të detyrueshme për të gjithë punonjësit tanë, gjithashtu edhe për anëtarët e organeve drejtuese në NLB dhe në anëtarët e tjerë të NLB Grupit. Ne kërkojmë standarde të njëjta edhe nga partnerët tanë afaristë, furnitorët dhe të tjerë, me të cilët ne kemi marrëdhënie bashkëpunuese. NLB është e vendosur për transparencë, profesionalizëm dhe drejtësi në të gjitha marrëdhëniet biznesore, prandaj ne shmangim përparësitë e parregullta apo paraqitjen e sjelljeve të dyshimta nga punonjësit tanë apo palët e treta me të cilat ne bëjmë biznes.
Në NLB, duke u shërbyer me politikën anti-korrupsion, për të luftuar korrupsionin dhe ryshfetin ne përdorim:
- masa të duhura, që synojnë trajnimin e vazhdueshëm dhe ngritjen e vetëdijes
- monitorimin e rreziqeve të pajtueshmërisë dhe integritetit si dhe monitorimi i zbatimit të masave për zbutjen e këtyre rreziqeve
- zbatimin e procesit hetimor për të gjitha sjelljet e dyshuara të dëmshme
- evidentimin i pranimit të dhuratave, ftesave, mikpritjes, konfliktit të interesit
- kanale të veçanta të krijuara për raportimin e parregullsive, duke mundësuar raportimin e sjelljes së dyshuar të dëmshme edhe në mënyrë anonime. Raportimi mund të bëhet përmes këtyre kanaleve: telefon, e-mail, raportim drejtpërdrejtë në njësinë për Pajtueshmëri dhe Integritet, apo Whistler aplikacionin.
Mbrojtja e raportuesit
Të gjitha shkeljet apo sjelljet e dëmshme me rëndësi (sikurse abuzimi, mashtrimi, përfshirë dyshimin për ryshfet apo ndonjë formë tjetër korruptive) duhet të raportohen dhe trajtohen. NLB ka krijuar dhe mirëmban një ambient të tillë i cili inkurajon punonjësit që të diskutojnë, tema të ndryshme, me menaxherët e tyre, me punonjësit në njësinë për pajtueshmëri, në njësinë kundër shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, me zyrën ligjore apo njësinë e burimeve njerëzore. Kanale të ndryshme, për raportimin janë vendosur në dispozicion të punonjësve, të cilët mund të raportojnë dyshimet e tyre mbi sjelljen e dëmshme, Banka u mundëson atyre edhe raportimin anonim (ku identiteti i raportuesit mbahet plotësisht i fshehtë). Me aktet tona të brendshme është strikt e rregulluar mbrojtja e raportuesve ndaj hakmarrjes dhe sigurimi i anonimitetit!